Monday, August 27, 2007

Kosova si “vrimë e zezë” në Evropë

Misioni i ardhshëm i Bashkimit Evropian në Kosovë ende nuk është përpiluar në detaje, sepse funksionet dhe përgjegjësitë e këtij misioni do të varen nga statusi final, i cili, së paku formalisht, ende nuk është përcaktuar.

Vehbi Miftari

Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit („DG ELAR“), e cila është e ngarkuar me krijimin e lehtësive për integrim për vendet e Komisionit Evropian, në kuadër të Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor, ka hapur njësinë e veçantë („C3“) për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën (Kosovo issues). Në kuptimin politik, kjo iniciativë e BE-së u pa si hapje e perspektivës së përbashkët të rajonit për aderim në Bashkimin Evropian, por realisht ajo nënkuptoi përpjekjen për përforcimin e idesë evropiane në Kosovë, sikur edhe për ndërtimin e instrumenteve të kooperimit me qëllim përshpejtimin e integrimit në strukturat euroatlantike për të cilat, së paku në Kosovë, ka pasur një përkushtim shumë të hershëm.

Njësia për Kosovën ende është në fazën e konsolidimit, jo vetëm në kuptimin e resurseve njerëzore, por edhe të hartimit të politikave të mirëfillta mbi të cilat do të funksionojë kjo zyrë. Sidoqoftë, tashmë disa hapa janë bërë. Në një bashkëbisedim të lirshëm për „Botën sot“, duke ofruar një „beground“ të gjerë të njohjes së çështjeve politike në Kosovë, si rrjedhojë e përvojës disavjeçare të saj në vendin tonë, znj. Ruiz Calavera, udhëheqëse e njësisë, tha se zyra e saj është e përkushtuar që t´i ndihmojë institucionet e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me kriterin e parë të Kopenhagës, ndërtimin e institucioneve demokratike, instalimin e shtetit ligjor dhe garantimin e të drejtave të njeriut. Krahas kësaj, njësia është duke u marrë aktivisht edhe me çështjen e pas-statusit në Kosovë, si dhe me natyrën e misionit të ardhshëm të BE-së në Kosovë, për të cilin tashmë ka një gatishmëri në të gjitha strukturat e BE-së. Misioni ende nuk është përpiluar në detaje, sepse, sipas znj. Ruiz Calavera, funksionet dhe përgjegjësitë e këtij misioni do të varen nga statusi i cili, së paku formalisht ende nuk është përcaktuar. Znj. Ruiz Calavera nuk është e gatshme, megjithatë, të përgjigjet nëse misioni i ardhshëm në Kosovë do të jetë i përfaqësuar si mision i BE-së, por është e bindur se asnjë veprim nuk do të merret në mënyrë unilaterale, pa bashkësinë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikur dihet, ende nuk janë prononcuar se cili do të jetë roli i këtij vendi në misionin e ardhshëm të Kosovës, por administrata e z. Bush disa herë ka kërkuar nga vendet e BE-së që të marrin më shumë përgjegjësi në ndërtimin e së ardhmes evropiane të Kosovës.

E rëndësishme, sipas znj. Ruiz Calavera, është që puna e njësisë së saj të ndikojë në krijimin e mekanizmave të partneritetit mes BE-së dhe institucioneve të Kosovës, gjithnjë duke mbajtur parasysh të ardhmen evropiane të vendit, ose i asaj që ajo quajti “kthim të Kosovës në hartë”, si dhe rolin që institucionet e BE-së mund të luajnë në përafrimin e vendit me strukturat e saj. Natyrisht, një ide e mirë nënkupton edhe një përgjegjësi dhe institucionet e Kosovës do të duhej që, duke ndërmarrë një mori veprimesh për ndërtimin e kapaciteteve institucionale në vend, të dëshmojnë në mënyrë bindëse se janë partner konstruktiv i Bashkimit Evropian dhe se investimi që BE-ja po bën dhe do të bëjë edhe në të ardhmen në Kosovë do të shpaguhet me ngritjen e këtyre kapaciteteve, e cila do të hapte rrugë për integrim më të shpejtë të vendit në BE. Duke rrëfyer “storiet” e suksesshme të ndërtimit të këtyre kapaciteteve në Kosovë që nga paslufta, sikur është Shërbimi Doganor ose TMK-ja, ajo dëshmon se përkushtimi i institucioneve të Kosovës është i domosdoshëm për të vazhduar përparimet dhe duket e kënaqur me dinamikën e institucioneve të Kosovës pas ndërrimeve të fundit, sidomos me veprimet që po i ndërmerr kryeministri Çeku për krijimin e besimit për jetë të përbashkët në Kosovë. Natyrisht, besimi nuk mund të krijohet duke investuar vetëm në një drejtim dhe znj. Ruiz Calavera është e vetëdijshme për rolin që institucionet e BE-së duhet të luajnë në krijimin e besimit jo vetëm mes qytetarëve të Kosovës, por edhe mes qytetarëve të saj karshi BE-së. Investimet në edukim të mirëfilltë evropian përmes programit “Tempus”, për të cilin aj thotë se sivjet janë shpenzuar një milion euro, pastaj politika e vendeve të BE-së për krijimin e lehtësimit të sistemit të vizave etj., janë vetëm disa nga hapat me të cilët kjo njësi po ndihmon në krijimin e besimit në perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës.

Deri më 1 prill të këtij viti Kosova trajtohej në kuadër të Drejtorisë për unionin e shteteve “Serbia – Mali i Zi”! Por, sikundër dihet, një strategji e përafrimit nënkupton gjithnjë edhe krijimin e mekanizmave me të cilët kjo strategji do të ndërtohet, prandaj aplikimi i asaj që quhet “politikë reale” për rajonin, duke i ikur krijimit të „vrimave të zeza“ në Ballkan është hapi i parë drejt ndërtimit të politikave të përbashkëta për qëllimin e përbashkët: integrimet evropiane.

Këshilli i Evropës dhe Kosova

Si do të rregullohet prania ndërkombëtare në Kosovën e pas-statusit dhe a ekzistojnë mekanizma (standarde) me të cilët do të mund të rregullohej kjo prani? Pse misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka pasur shumë vështirësi? Pse Këshilli i Evropës pranon se serbët e Kosovës tashmë janë shndërruar në “objekt të bisedave” dhe a nënkupton ky precedent për standardet ndërkombëtare për pakicat? Si të ruhet drejtpeshimi mes diplomacisë morale dhe asaj aktive? Claudia Luciani shpjegon pozicionin e vështirë ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës.

Sa është i përfshirë Këshilli i Evropës në procesin për Kosovën? A ka ndonjë fuqi vendimmarrëse në proces dhe çfarë përfaqëson kjo strukturë në mekanizmat ndërkombëtarë të cilët po e udhëheqin procesin për përcaktimin e statusit final të Kosovës? Udhëheqësja e Divizionit për Politikën e Jashtme të Këshillit të Evropës, e ngarkuar me Evropën Juglindore, znj. Claudia Luciani tha se KE-ja nuk dëshiron që të jetë drejtpërsëdrejti e përfshirë në proces, por ata pyeten vazhdimisht për kriteret dhe parametrat që duhet të përdoren në Kosovë ose gjetiu. Tekefundit, standardet me të cilat është përcaktuar prania ndërkombëtare në Kosovë janë të KE-së, prandaj ajo do të ndihmojë edhe në të ardhmen bashkësinë ndërkombëtare për të gjetur modalitetet e pranisë së ardhshme në Kosovë. Por, kjo nuk i zgjidh problemet, dhe përfaqësuesja e KE-së duket të jetë e vetëdijshme për vështirësitë me të cilat do të hasë përpjekja për instalimin e një misioni të ardhshëm në Kosovë. Nuk ekzistojnë norma (standarde) ndërkombëtare me të cilat do të rregullohej struktura organizative e këtij misioni. Nëse misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) mbështetet në normat e përcaktuara nga Këshilli i Evropës dhe nëse ato e kanë rregulluar formën e pranisë ndërkombëtare në Kosovë në vitin 1999, kur Kosova ishte vend i sapodalë nga lufta dhe kërkohej një administrim ndërkombëtar, këto standarde tashmë janë të tejkaluara për hapat e mëtutjeshëm.

E ardhmja e procesit, duket të jetë e pasigurt, sidoqoftë. Znj. Luciani pranon se për të nisur një proces negocimi, z. Ahtisari i ishte drejtuar KE-së për të kërkuar ndihmën e saj për rregullimin e bazamentit moral, më shumëse atij ligjor, për misionin e tij. Ai edhe para dy ditësh ishte për të raportuar në KE për rezultatet dhe vështirësitë e misionit të tij për Kosovën. Por, ajo po ashtu pranon se misioni ndërkombëtar në Kosovë ka hasur në vështirësi, për shkak të mungesës së mekanizmave të kontrollit në ato institucione që ajo i quajti “burme të fuqisë”: UNMIK, KFOR dhe në IPVQ-të. Si të monitorohet rezultati i punës së tyre në arritjen e standardeve nëse KE-ja nuk ka mekanizma të tillë? Ajo thotë se kanë insistuar që UNMIK-u t’i nënshtrohet rregullave të monitorimit dhe se së fundi është arritur një marrëveshje me ta, edhe pse për një kohë të gjatë UNMIK-u nuk ka pranuar monitorim, ndërkohë që tashmë është në fund të mandatit të tij në Kosovë, ndërkohë që janë duke negociuar edhe me NATO-n për monitorim të trupave të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR-it. Duket se “institucioni moral evropian”, Këshilli i Evropës, është i ndjeshëm ndaj të ardhmes së Kosovës dhe po kërkon mënyra për të garantuar monitorim të plotë të të drejtave të njeriut në Kosovën e pas-statusit.


Këshilli i Evropës ka pranuar, sidoqoftë se mungesa e bazamentit ligjor me të cilin do të përcaktoheshin saktësisht modalitetet e zgjidhjes së statusit të Kosovës, ka ndikuar që edhe objekti i bisedave për Kosovën shpesh herë të jetë fluid, madje i ndryshueshëm. Claudia Luciani, e pranoi se gati pahetueshëm objekti i bisedave për statusin janë bërë serbët e Kosovës dhe jo rregullimi statusor i pakicave ose forma administrative e qeverisjes në të gjitha nivelet. Gati e bindur se kjo mund të shkaktojë pakënaqësi të mëdha te pakicat tjera ose te shqiptarët që do të përfshiheshin në ato që institucionet e Kosovës një herë i patën quajtur “komuna fantazmë”, ajo pohon se janë duke i hetuar me vëmendje të gjitha konsekuencat e çfarëdo përjashtimi nga norma. Pas insistimit tonë se në një komunë me shumice serbe do të kishte një pakicë përfaqësimi të shqiptarëve, kurse një komunë me shumicë më të madhe turke ta zëmë nuk do të shpallej komunë në vete, ndërkohë që do të krijoheshin simotra të saj me shumicë serbe, edhe pse shumë më të pakta në numër, dhe se të gjitha këto përbëjnë kritere të rrezikshme për rolin demokratik të institucioneve qendrore, znj. Luciani, tha se po e hetojnë në detaje përfaqësimin e asaj që ajo e quajti “objekt të bisedave”, përfaqësimin serb, por njëkohësisht po e matin edhe me pulsin e qytetarit të Kosovës, qoftë të pakicave të tjera, të cilat mund të ndjehen të fyera, qoftë të shumicës shqiptare, gjithnjë duke u përpjekur për ruajtjen e standardeve ndërkombëtare, edhe pse edhe vetë nuk është e sigurt nëse „objekti i bisedave“ e ka tjetërsuar edhe qasjen ndërkombëtare ndaj pozitës së pakicave. Ajo e pranon se institucionet e Kosovës janë të gatshme t’u ofrojnë pakicave (jo vetëm serbëve) të gjitha të drejtat e përcaktuara me standardet ndërkombëtare. Por, kjo si duket nuk është e mjaftueshme për bashkësinë ndërkombëtare, ose së paku për një pjesë të saj. A do të thotë kjo se duhet përdorur kritere të dyfishta? ajo nuk mundi ta pohonte këtë natyrisht, duke thënë se “të gjithë në Kosovë duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta”, por vetë fakti se serbët e Kosovës trajtohen veçan në biseda nënkupton një lloj lëshimi pe para kërkesave të tyre.

Kthim në të kaluarën!

Procesi i përafrimit të rajonit me Bashkimin Evropian duket se është përkushtimi i vetëm i përbashkët i politikanëve të BE-së dhe të atyre të rajonit. Sergios Varvaroussis nga Departamenti i Përgjithshëm për Zgjerim kujton se procesi i stabilizim-asociimit ka dëshmuar se sa është i rëndësishëm inicimi i proceseve integruese për të hapur perspektivën e zhvillimit për rajonin. Sipas tij, trysnia e cila sipas komisarit Oli Rehn nënkupton parimin themelor të politikave të BE-së ndaj rajonit, ka ndikuar që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i adaptojnë më shpejt politikat e tyre me ato të BE-së. Në Kosovë, për shembull, janë evidentuar përparime si rezultat i përkrahjes politike nga BE-ja, edhe pse vendit, sikur e tha z. Lehne, i duhet edhe disa vite për t’u afruar me BE-në. Por, e rëndësishme është që periudha pas zgjidhjes së statusit final të jetë e pasuar me një perspektivë të qartë evropiane.

Sipas z. Varvaroussis, BE-ja në Kosovë është duke i përkrahur institucionet për të filluar më realizimin e “Kritereve të Kopenhagës”, para së gjithash përmbushjen e kriterit të parë, i cili nënkupton ngritjen e kapaciteteve institucionale, mbisundimin e ligjit dhe krijimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në anën tjetër, mekanizmi i trysnisë politike na Kosovë është orientuar edhe në një drejtim tjetër: bashkëpunimi rajonal, jo vetëm në kuptimin politik, por edhe në atë ekonomik. Në anën tjetër, departamenti është i vetëdijshëm për rëndësinë e informimit të drejtë të qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian jo vetëm për rëndësinë e integrimit të rajonit në BE, por edhe për domosdonë e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në bashkësinë e familjeve evropiane për shkak të përplotësimit të mozaikut të Evropës. Por, në shumë prej vendeve të BE-së opinioni publik vazhdon të jetë shumë i ndryshëm karshi zgjerimit të mëtejmë të Ballkanit. Ndërrimet e iniciuara kushtetuese në Francë janë vetëm një sfidë e dukshme e problemeve me të cilat do të ballafaqohet BE-ja para se të ndodhë faza tjetër e zgjerimit. Të jetë problemi më shumë politik për shtyrjen eventuale të fazës së ardhshme të zgjerimit. Kjo duket të jetë jo vetëm e prekshme, por gati përcaktuese. Sidoqoftë, BE-ja është duke u përballur me rikrijimin e miteve dhe me (pa)fuqinë për t’i tejkaluar ato.

Ideja e z. Sergios Varvariussis është se BE-ja e di se objektivi i vërtetë mbetet zgjerimi i saj në Ballkan, por po kështu ai nuk i fsheh vështirësitë që ka krijuar “JO” në referendumin për kushtetutën në dy vendet ish-promotore të idesë së Evropës së Bashkuar, në Francë dhe Holandë. Madje, duket se edhe të njëzet e pesë vendet anëtare të BE-së (pa përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, të cilave dje komisioni u dha një “PO” të kushtëzuar) duket se janë pajtuar me Francën e cila ka iniciuar ndryshime kushtetuese për procesin e zgjerimit. Euroskeptikët, ndërkaq, parashohin që faza tjetër e zgjerimit mund të ndodhë vetëm pas vitit 2012! Duket se Bashkimi Evropian vazhdon t’i ketë të njëjtat probleme me ato të fillimit, të cilat profesori i Universitetit të Namurit, Albert Maus i quajti si vendimtare për filozofinë politike të Bashkimit Evropian në të ardhmen: mungesën e qëllimit të fundit dhe mungesën e përcaktimit për kufijtë e fundit të saj!

Friday, August 24, 2007

Ekskursioni në Kosovë

Amerikani, Dave Long, së voni udhëtoi në Kosovë për ta eksploruar atë në vetëm tri ditë - këtë tokë të largët në të cilën ndeshen shumë kultura, ku ahengjet zgjasin tërë natën, ku ende ka fshatra të shkatërruara nga lufta, por edhe kanione të fshehur, ujëvara dhe shpella misterioze mermeri. Ja ku është...

Peja: Telashet në Bjeshkët e Nemuna

Peja vërtet të ngjante në një bazë të madhe për mbushjen e rezervuarit me karburant dhe vaj motorik, por edhe për drekim, para se t’ia mësynim bjeshkës. Por, këtë mundësi e kuptuam vetëm pasi që u futem thellë në Grykën mbresëlënëse të Rugovës. Siç e do fati, ky territor që nga kohët e lashta njihej si ‘Bjeshkët e Nemuna’. Një ogur ky që s’ishte tretur as gjatë ekskursionit tonë. Rruga e shtruar mirë shpinte thellë drejt të panjohurës, ndonëse ndërpritej me shpellat-tunele dhe me kalime të thikta malore. Sinjali i benzinës dhe ai i vajit në panel filluan të na “bënin me sy” derisa sapo iu afruam fundit të asfaltit.
Por, unë isha i vendosur të vazhdoja përpara, drejtë rrugës ogurzezë dhe plotë baltë që shpinte për në Bogë.

Fshati i Bogës ishte prototip për një ‘strehim të largët’. Boga, një pikë kjo e vockël në hartën përgjatë kufirit malazez, përbëhet nga një ski-lift i vetmuar dhe nga disa kabina idilike për qiradhënie. Mund ta paramendoj se sa vend i përsosur do të ishte ajo për një arratisje romantike (apo për një varrim sekret të Corleone’s). Pas 45 minutash plotë gunga dhe dhjetë kthesa më vonë, u kthyem në Pejë për të siguruar karburant, vaj motorik dhe t’i riparonim gomat - për vetëm 2 euro. Katastrofa u evitua.

Deçani: Udhëtimi në të kaluarën

Të pastrehuar dhe të freskuar, e braktisëm Pejën dhe u nisëm drejt destinacionit të radhës. Vetë qendra e qytetit ofronte fare pak më shumë se disa kafeteri, disa monumente kushtuar ushtarëve të vrarë së fundmi (kjo zonë vuajti së tepërmi gjatë luftës) dhe një dyqan që shiste veshje kombëtare brenda një shkatërrimi të rinovuar. Manastiri i Deçanit, nga shekulli i XIV, i radhitur në trashëgimin kulturore të UNESCO, dhe i vendosur në mes të malit të qetë me drunj gështenjash, vazhdon të jetë shtëpi e një grupi të vogël murgjish të devotshëm serboortodoks. Qasja në tokën e manastirit nënkupton kalimin e pikës kontrolluese të KFOR’it italian dhe të mosdjersitjen nga marrja në pyetje e ushtarëve të armatosur me mitraloza. Por, kur të futet brenda kompleksit vizitori shijon një thesar arkitektonik, në një pronë të mirëmbajtur dhe pa asnjë të metë. Me të kaluar disa kilometra drejt rrugës për Gjakovë, u ndalëm në fshatin Dranoc. Kishim dëgjuar se aty ndërtesat, gjegjësisht shtëpitë tradicionale shqiptare të quajtura Kulla, ishin restauruar për vizitorë.

Derisa po ngisnim nëpër një rrugicë të ngushtë, dhe derisa po na dukej sikur ishim kthyer 200 vjet prapa, takuam një vendas, i cili na sqaroi se pronari i Kullës nuk ishte aty, megjithëse mund ta kontaktonim me celular. Thirrëm dhe kuptuam se do të vinte pas 30 minutash. Ndërkohë Tahiri, ashtu quhej vendasi që e takuam, me padurim priti që të na udhëhiqte përkohësisht nëpër vendbanimin që dukej mjaft antik. Derisa po fliste në shqip dhe në një gjermanishte të cunguar, na shpiu tek shtëpia e tij e gurit, duke na treguar rrëfime për ditët e luftës dhe për vëllezërit e tij që kohë më parë kishin shkuar, secili në kërkim të një jete më të mirë, në Gjermani dhe Francë. Pas filxhanëve me kafe të fortë turke, të shoqëruar me cigare, takuam edhe nënën dhe kalamajtë e tij dhe dëgjuam për shtëpinë-fermë të cilën babai i tij e kishte ndërtuar pasi që ishte liruar nga burgu serb, në vitin 1968. Të magjepsur nga fascinimi mistik i botës së tij, u pronari i Kullës. Kulla tani shërbente si lokacion për mbajtje konferencash dhe seminaresh kulturore, por ne qëndruam aty mjaft gjatë sa për ta hulumtuar ahurin në katin përdhes, dhomat e banimit në katin e parë dhe Odën në katin më të lartë – një dhomë kjo tradicionale për pritjen e burrave. Derisa dielli tashmë po perëndonte shpejtë, dukej se i kishte ardhur koha edhe motelit mëtanë rrugës. Natën e mirë. Laku noc. Good night.

Gjakova: Texasi i Ballkanit

U takuam me Belkizen, në orën 8 të mëngjesit, para se ajo të shkonte në punë në misionin lokal të OKB. Ajo na shpjegoi se Gjakova është qyteti më krenar në Kosovë. Me disa qytetarë të pasur, me tendencë të fuqishme për thashetheme dhe me drama të vazhdueshme të cilat brenda vetes ngërthejnë komedi, tragjedi dhe dashuri, gjakovarëve iu pëlqen që këndin e tyre të botës ta quajnë ‘Texas i Ballkanit’. Duke shëtitur rrugëve me pluhur të qyteti të vjetër tashmë të rindërtuar, s’mund t’i shmangesha një imazhi. E imagjinoja një Clint Eastwood të veshur si otoman që po ma bllokonte rrugën dhe po më sfidonte në dyluftim. Por, në vend të kësaj, ne bëmë një rrugëtim krejt të padëmshëm deri tek majës së Kodrës së Çabratit, Amerikani, Dave Long, së voni udhëtoi në Kosovë për ta eksploruar atë në vetëm tri ditë - këtë tokë të largët në të cilën ndeshen shumë kultura, ku ahengjet zgjasin tërë natën, ku ende ka fshatra të shkatërruara nga lufta, por edhe kanione të fshehur, ujëvara dhe shpella misterioze mermeri. Ja ku është...

Prizreni: Sigurt do t’iu kthehen paratë

Prizreni është i vetmi qytet në botë në të cilin pashë një lypës derisa po ndiqte një njeri duke i bërtitur, ngase ky i fundit kishte dhënë tepër para. Po në atë çast edhe thashethemet u konfirmuan: Ky qytet ka karakter. Ky po ashtu ishte i vetmi qytet në Kosovë në të cilin erdhëm falë fjalëve të një turisti, rrugëtimi i të cilit nga Britania gjithashtu ishte motivuar
plotësisht vetëm nga dëshira për eksplorim të të pahulumtuarës. Falë një tradite të gjatë të artit ndëretnik, arkitekturës dhe tregtisë, Prizreni konsiderohet kryeqytet kosovar i kulturës. Influenca turke ende ka mbetur aq prezente edhe në ditët e sotme, saqë gjuha turke flitet nga një pjesë e madhe e qytetarëve. Veç gërmadhave të kalasë së lashtë, Hamamit nga shekulli XV dhe muzeut magjepsës të Lidhjes së Prizrenit, shëtitja bregut të lumit paraqet edhe një vend dhe mënyrë perfekte që reflekton bukurinë dhe tragjedinë e kësaj toke të harruar. U përpoqëm ta vizitonim kishën e Shpëtimtarit të Shenjtë të shekullit XIV, por u zmbrapsëm nga ushtarët e KFOR’it gjerman, të cilët jam i sigurt se i zgjuam nga dremitja pa brenga. E në qytet, ishte koha që ta hulumtoja paksa edhe xhaminë e parë në jetë, dhe sigurisht se e zgjodha vendin e duhur për ta bërë këtë gjë. Xhamia e Sinan Pashës dominon sheshin më të bukur në Prizren. E vendosur pranë Urës së Gurit, shumë afër Kishës së madhe ortodokse dhe pak më larg kalasë, sikur e lutë secilin njeri me fotoaparat në dorë që të shkrep. Fatmirësisht, nuk i kishte lutur edhe ushtarët serbë që ta bënin të njëjtën gjë. I zbatha këpucët dhe menjëherë fillova t’i shikoja veprat artistike arabe që ndodheshin, lartë, poshtë dhe në qendër të kupës së gjerë. Përkundër gjuhës të ndryshme në të cilën ishin shkruar muret dhe tavanet, s’-mund të lirohesha nga ndjenja e ngjashmërisë mes institucioneve më të mëdha religjioze në botë.

Nëntoka e Kosovës

Vendqëndrimi i fundit i itinerarit tim ishte Shpella e Mermertë përrallore e Gadimes, që ndodhej në të kthyer për Prishtinë. Fatkeqësisht, sikurse edhe shumica e sekreteve tjera kosovare, edhe ajo ishte e ruajtur me kujdes. Asnjë tabelë, përpos disa shenjave të dyshimta skaj rrugës që dëshmonin për ekzistimin e saj. E nganjëherë tri kthesa të gabuara vërtet bëjnë që ta bësh gjënë e duhur. Kështu, më në fund arritëm te Shpella e Mermertë. Për 2,50 euro siguruam një ciceron (me një gjermanishte dhe anglishte të dobët), i cili na udhëhoqi përgjatë 1,500 metrave të shpellës së gërmuar që përmbante përplot kristale, shpejtësia e rritjes së të cilëve ishte e barabartë me një milimetër gjatësi brenda 10,000 vjetëve. Përmes disa tregime të pëlqyera për Romeon dhe Xhulietën dhe për disa legjenda tjera lokale, në gjeta paqen ndaj reagimeve të mia alergjike tejet aktive, gjë që më mjaftonte, falë madhështisë gjeografike përreth meje. Mbeta edhe disa ditë në Prishtinë për të pare premierën e një filmi local për ‘snowboarding’ dhe për t’i kontrolluar edhe disa klube, në të cilat interpretohej muzikë ‘live’ e klasit të parë. Derisa po ecja rrugëve të Prishtinës s’- mund të mos mendoja se si ky ishte një qytet në ngritje. Pamjet dhe zhurma e ndërtimeve hasen gjithandej. Universiteti është përplot studentë të rinj dhe energjikë, ndërkohë që edhe profesorë nga gjithë bota vijnë për ta vizituar. Udhëtarët e ardhshëm duhet ta mbajnë mend se pikërisht kjo është Kosova. Është ky një shtet që ende s’është shtet dhe i cili ende s’- mund ta financojë Ministrinë e Turizmit. Shikojini lajmet, shmanguni demonstratave dhe mbani mend se kjo aventurë udhëtimi nuk është Parisi. Por, me pavarësinë e mundur që e pretë atë menjëherë pas qoshes, duket se kjo vërtet është kohë e duhur për ta vizituar Kosovën. Mund të jeni dëshmitar i lindjes së shtetit më të ri në botë. Padyshim se do të hasni në vend miqësor dhe në një rajon magjepsës që sigurisht se do t’iu mbush me tregime që zgjasin përjetësisht. E, nëse edhe kjo nuk iu nxitë, atëherë si mundet cilido udhëtar t’i rezistojë ndjenjës së të qënurit koleksionues i vulave të rralla në pasaportë. Dhe krejt kjo pa e braktisur fare Evropën. Edhe unë pra zgjodha utinë misterioze.

marrë nga Express

Shqipëria, kufiri i fundit i Evropës

Të bësh pushimet në Rivierën Shqiptare, mund të duket e stilit të Borat, por vendi fsheh gjire të mrekullueshme e të zbrazura, plazhe të lira dhe banorë mikpritës Është mesi i verës dhe unë ndodhem në një plazh buzë detit Jon, por nuk shoh këmbë njeriu. Prej së largu dalloj makinat që rrëshqasin në një shteg në rrugën malore dhe gjithçka më duket si një skenë me xhirim të ngadaltë, por kaq është i gjithë popullimi i vendit. S'mund të rri pa buzëqeshur. Nuk e di çfarë mund të jetë më interesante: 80 kilometra plazh "i pazbuluar" në Evropën Jugore, apo fakti që është në Shqipëri.

Pushuesit i kanë gjetur fundin Mesdheut Evropian. Spanja, Franca, Italia, Kroacia, madje edhe Mali i Zi, vendi më i ri i botës, ku unë isha disa ditë para se ta vizitonin Rolling Stones, të gjithave u është gjetur fundi. Një pjesë e mirë e bregdetit turk është e prenotuar, dhe mos më bëni të filloj të flas për Greqinë. Sigurisht ju mund të largoheni nga hordhitë, por sa larg prej tyre?
Për të arritur në Revierën Shqiptare, një nga bregdetet më mahnitëse në Evropë, duhet të paguash një çmim të papërfillshëm sikur të jepje lëmoshë për të pastrehët. Autobusi që lidh Tiranën me bregun, niset çdo ditë në orën 6 të mëngjesit në një park makinash në kryeqytet, ai është pajisur me sedilje të vjetra të importuara nga Gjermania, disa prej të cilave mbajnë ende emrat e vendeve për ku udhëtonin dikur – njëri thotë që është drejtuar për në Vilhelmstrasse (Rrugën Vilhelm).Hipi në autobusin tim dhe bie nënjë gjysma-gjumëqë më ndërpritet shpesh nga troshitjet. Rruga për në breg është plot gropa, duket që pak është vënë dorë në të që prej ndërtimit nga italianët më 1940.

Gjendja e rrugëve është arsyeja kryesore se përse Riviera Shqiptare, nga Vlora në Sarandë, nukka shkallë të madhe zhvillimi turistik. Madje edhe vetë shqiptarët nuk e marrin përsipër bezdisjen nga rruga, duke preferuar plazhe si Durrësi, që arrihet lehtë nga Tirana përmes një rruge relativisht të mirë. Riviera fillon në 1000 metra lartësi në Qafë Llogara, rruga zbret e egër prej majës deri në fund. Unë zbres nga autobusi në fshatin e vogël të Dhërmiut, i përbërë nga rreth 100 shtëpi të vogla me tulla të vendosura buzë rrugës, që përfundojnë diku nga mesi i malit, ndërsa përtej më në Jug është kufiri me Greqinë.

Ka një hotel këtu, përballë të cilit ndodhet një minikompleks i bezdisshëm. Pronari e sheh që jam zhgënjyer. Ai ngarkon në pjesën e pasme të makinës së tij bagazhet e mia dhe udhëtojmë përmes pyllit të ullinjve dhe pishave buzë detit, prej nga unë mund të shoh disa shtëpiza të vogla druri mes pishave. Ose gjëra të ngjashme. Për 40 dollarë në natë, t'i mund të kesh një të tillë me një shtrat dopjo, një dush, një banjo dhe një dollap të madh rrobash. Nuk është luks, por nuk bëhet fjalë as për kushte të këqija.

Numërova 14 njerëz në plazh. Pak turistë të huaj arrijnë deri këtu, kështu që vendi mbushet vetëm fundjavave kur në plazh dalin banorët e zonës. Bregu zgjatet për nja një kilometër dhe pas kësaj futemi në një kep të mbuluar me shkurre. Unë ndjehem mirë dhe vetëm. Në restorantin në natyrë të hotelit, kamerieri flet një italishte copë copë dhe unë merrem vesh me të me të njëjtën italishte gjysmake, kështu përfundoj të ha një pjatë të madhe me levrek deti, një sallatë greke dhe patate të skuqura. Pyes kamerierin se prej nga ka ardhur peshku dhe ai më tregon një burrë që është duke pirë në banak. Shtrihem në krevat i zënë nga një zagushi. Këtu dëgjoj valët të rrahin bregun dhe një bulkth të cilit i ka kaluar ora e gjumit.

Ditën tjetër i hipi sërish autobusit për një udhëtim 20 minutësh deri në gjirin e Jalës, i cili sërish më duket virtualisht i zbrazët. Numëroj 11 njerëz. Ka disa vila të shkatërruara pas plazhit, por mundësitë për akomodim janë një grup kabinash plazhi në fund të malit. Këtu takova një çift gjermanësh – të vetmit jo shqiptarë që më ra rasti të njihja – të cilët duan të ngrenë tendën e tyre në plazh. Gjermanët dhe unë vendosim të marrim bashkë një autobus ditën tjetër. Rruga për disa kilometra kalon buzë detit deri sa arrijmë në Qeparo, ku ulemi në një kafene, ku burra të vjetër diskutojnë mbi një lojë letrash. Hëngrëm një drekë me bukë të freskët, djathë të bardhë, domate të ëmbla dhe tranguj me forma të çuditshme; ato të gjitha janë kështu pasi prodhimet shqiptare janë organike – pesticidet e plehrat kimikë janë shumë të kushtueshëm. Për shkak të rrugëve të këqija thuajse gjithçka që ha në rivierë është prodhim vendas.
Pronari i kafenesë bën ece e jake aty rrotull dhe ne i themi se kërkojmë një hotel, por Aleksi thotë që mund të qëndrojmë në vilën e tij pak metra më tutje në kodër. Ai dhe gruaja e tij flenë në pjesën e pasme të dyqanit, një zakon që e morën që prej revoltës së 1997-tës, pas rrëzimit të sistemit piramidal, në të cilin pjesa më e madhe e vendit humbi paratë.Me të mbaruar viti problemet u tejkaluan, duke i dhënë fund edhe një kaosit politik shtatëvjeçar që nisi pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990. Kanë kaluar dhjetë vite të qeta dhe Aleksi po rregullon katin e dytë të vilës, në të cilën do mund të kthehet familja, ndërsa dhomat e katit të parë i ruan për vizitorët.

Ai ngul këmbë që të na shëtisë me makinë deri te kalaja e braktisur e Ali Pasha Tepelenës, që ëshë disa kilometra më tutje në gjirin e Palermos. Kur kthehemi në Qeparo, ulemi poshtë tendave të stisura medegë dhe me pamje nga deti, prej nga mund të shihet Korfuzi.
Nëpër plazh shihen bunkerët shqiptarë, disa prej afërsisht 700 mijë epitafeve prej betoni të sundimit paranojak të Enver Hoxhës. Bunkerët që këtu janë të lyer në blu dhe vjollcë, dikur ata kishin për qëllim mbrojtjen e vendit nga sulmet, por në ditët e sotme përdoren nga vendasit për të bërë dashuri, dhe jo luftë.

Kur bie nata ngjitemi në Qeparoin e Vjetër në majë të malit me pamje nga deti. Dëgjojmë pëshpëritjet e familjeve në një duzinë shtëpish aty afër dhe zilet e bagëtive, por nuk shikojmë këmbë njeriu. Për të kaluar mbrëmjen në Rivierë, duhet të mbështetesh vetëm te vetja. Nuk ka lokale apo restorante moderne, kështu që për t'ia kaluar mirë duhet të lidhesh me banorët. Një grup të rinjsh në Jalë na ftuan të ndiznim zjarr në plazh, ndërsa në Qeparo njerëzit mblidheshin në kafen e Aleksit ku luanin letra apo pinin raki të bërë në shtëpi. Në shumë vende të Evropës Lindore bezdia nga turistët ështëkrejt normale, por këtu njerëzit i duan të gjithë ata që vijnë nga jashtë, ndoshta thjesht sepse kjo është një zbavitje më vete. Të nesërmen lamë Qeparoin, me koka të rënduara. Aleksi nuk pranoi të na merrte para për fjetjen. Vendi ka një etikë mikpritje që të premton të marrësh përqafime lamtumire nga taksistët, unë mora dy gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, ndërsa pasagjerët e autobusit më ndihmuan të porosisja kafe ekspres dhe paçe pikante e mjaft të shijshme gjatë pushimeve të autobusit. Në Sarandë aty ku mbaron Riviera, një burrë i vjetër më afrohet. Thomai ka një fytyrë dashamirëse dhe babaxhane, sa që më lind dëshira ta kisha gjysh. Ndërsa pimë një kafe, ai më thotë që në shtëpi kishte strehuar hebrej dhe italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa i kishte dhënë strehim një familjeje kosovarësh, që i kishin ikur horrorit në fund të viteve 90'.Këtu kuptoj që shqiptarët kanë këtë mikpritje prej vitesh.

I ulur në kafene vëzhgoj banorët që mbajnë gjallë një traditë ballkanike, duke shëtitur tutje tëhu, të veshur me rrobat më të mira.Përtej detit Korfuzi i shndritshëm.Një varg drite që vazhdon gjatë, duke u ndërprerë herë atje e herë këtu, deri sa Evropa bashkohet me Azinë. Afërsisht 160 kilometra më në Veri të vendit ku jam ulur, zinxhiri i dritave nis sërish për tu zgjatur nga Adriatiku deri në Algarve (Qytet në Portugali). Mes këtyre dy zinxhirëve është një nga pamjet më të bukura që do të keni mundësinë të shihni ndonjëherë, gjithmonë nëse rruga vazhdon të mbetet me gropa.

Xhelozia, një çmenduri jo fort e zakonshme

Eshtë komplekse dhe tregon ankthet tona arkaike. Sepse xhelozia nuk është një provë dashurie. Ajo tradhton një problem besimi në vetvete. Një zoom - për një pasion që është më shumë i ankthshëm sesa eksitues. Në librari mund të gjesh tituj nga më të ndryshëm: “Xhelozia, kënaqësi dhe mundim”, “Kurrë më xhelozë”, “Varësia dashurore”… Këtu mund të shtrojmë një pyetje: mund të trembemi se mos humbasim atë që kemi vendosur që ta posedojmë? Me sa duket po... “Eshtë logjike-konfirmon François-Xavier Poudat, që merret me çështjet e çifteve. Martesa nuk është më institucion, duke braktisur idenë e një kontrate përjetë, çifti mundohet të krijojë një kontratë të parakohshme. Ankthi është i vazhdueshëm. Marrëdhënia vërtitet mes mbikonsumimin e partnerëve dhe pavarësisë së tjetrit-ku xhelozia është një lloj shfaqjeje”. Damien Guyonnet flet për një epokë paranojake. Sipas tij, në mungesë të modelit dhe të sigurisë, janë fantazmat që na udhëheqin.

Tjetri, qoftë bashkëshorti apo personi që kemi vendosur të ndajmë jetën, kthehet lehtësisht në kërcënim. Skenaret qesharake Dashuria mund të bëhet e çmendur, në kuptimin kur na zhyt në gjendje që kanë një kufi – jashtë vetvetes-. Nëse të gjithë jemi të shqetësuar kur imagjinojmë ikjen e njeriut që duam, disa syresh zhyten një një delir interpretues paranojak. Madje duke mos pasur asnjë hije dyshimi për të krijuar një skenar qesharak. Për psikanalisten Sophie Cadalen, autore e një libri për çiftet, thotë se xhelozia nuk ka shumë lidhje me dashurinë. “Personi që është xheloz duhet të mbështetet në vetvete. Ajo që e tmerron është një lloj dëshire që nuk e kanalizon dot, kërcënimi i një energjie që e ka në thellësi, brenda vetes ... të cilën e projekton te tjetri. E thënë ndryshe, është personi xheloz, ai që ka tendenca për të tradhtuar apo dëshira të çuditshme”.

Ndërsa psikanalistja Marcianne Blévis autore e “Xhelozia, kënaqësi dhe mundim”, kjo simptomë duket më komplekse. Duhet që të na shtyjë ta eksplorojmë edhe më shumë historinë tonë, para lindjes së një vëllai apo motre më të vogël. “Në fillim ka një situatë pasigurie. Për shembull: një fëmijë i vogël që ndodhet përballë një situate ndarjeje. Aureola e mirësisë që e lidhte me nënën e tij, shkatërrohet menjëherë. Nëna që nuk e përkëdhel më, të afërt që në mënyrë të pavetëdijshëm nuk i japin atij vendin e mëparshëm. Në një moment të caktuar dallon se i shkëputet një gjë nga vetja”. Një ndjenjë që sipas psikanalistes do të mbetet si një dhimbje e vogël, një valë e zezë e ngelur pezull mbi të, një kërcënim. Një plagë narcistike “Kur vjen momenti për të krijuar një çift, që në fillim i kujton atij një marrëdhënie të parë nënë-fëmijë, ky ankth braktisjeje, humbjeje, mungese, mund të shfaqet sërish. Xhelozia është një “sëmundje e shtrembërimit”, tregues i një vështirësie për tu ndarë nga tjetri, që shfaqet edhe në ndarjen arkaike dhe brutale që ndodh me nënën”.

Kjo situatë fillestare që përjetohet në fëmijërinë e hershme mund të sjellë një “plagë narcistike” që çdo person që është xheloz do të mundohet ta rregullojë në marrëdhëniet me personin e zemrës që konsiderohet “si njeriu që do të mbyllë të çarat”. Prej nga vjen edhe dëshira për ta afruar tjetrin. “Xhelozia është një formë varësie, si bulimia apo toksikomania.Sepse ajo vjen për të na mbushur boshin të pushtojë psikikën, njësoj si çdo lloj droge. Jemi nën hijen e tjetrit”,- thotë François-Xavier Poudat. Ngandonjëherë një njeri xheloz është i pushtuar nga një fantazim: ish-i dashuri, i harruar prej kohësh apo një rival imagjinar: “Ky konkurrent është i shpikur. Në të njëjtën kohë i dashuruar dhe i urryer. Ai i ka të gjitha cilësitë, pikërisht ato cilësi të cilat nuk i kemi”,- thotë Marcianne Blevis.

Ashtu si çdo person xheloz vuan nga një mungesë vlerësimi për veten ai kërkon në mënyrë të pavullnetshme, “patericë”, pranë rivalit. “Frojdi flet për ndjenjat e homoseksualitetit përkarshi një rivali.Personi që është xheloz kërkon në veten e tij një “njohje homoseksuale”, konfirmimi i një identiteti seksual që atij i duket si defekt”. Edhe pse torturuese, xhelozia është një kënaqësi. “Xhelozia mund të jetë e këndshme, sepse lejon që të evitosh hijet e një rutine të jetës në çift”, shpjegon Marcianne Blévis. Rivali i shpikur Xhelozia shtyn erotizmin, mbështet dëshirën? Të gjitha çiftet kanë nevojë për një lloj ndjelljeje, që na kujton se jo gjithçka mund ta kemi dhe se tundimet ekzistojnë. Sociologu Jean-Claude Kauffmann në librin “Trupi i femrës, nën vëzhgimin e burrit” mbështetet në reagimin e meshkujve kur shohin gjoksin nudo të grave të tyre kur janë në plazh. Xheloz apo jo? “Meshkujt 20-vjeçarë në fillim të lidhjes nuk mendojnë se të dashurat e tyre mund të shohin edhe më tutje...

Ndërsa në moshën 40-vjeçare nuk janë edhe aq shumë të bindur. Kështu nis edhe loja e vëzhgimeve, kur burra të tjerë ushqejnë marrëdhënien në çift”,- thotë sociologu. A nuk është pikërisht kjo ideja e shkëmbimit, kaq e përhapur tek çiftet pseudoliberalë? “Në fakt, thotë Sophie Cadalen, shkëmbimi lejon që të kufizosh një njeri dhe të menaxhosh xhelozinë tënde. Duke iu dhënë kësaj praktike, kontrollojmë seksualitetin e tjetrit dhe e mbyllim në një “burg të praruar”. Deri në momentin kur rivali i shpikur bëhet mjaftueshëm i fuqishëm dhe i pranishëm për ta shtyrë xhelozin në një dhimbje të llahtarshme. “Në këto raste, rivali shndërrohet në një person që “mbush” këtë horizont lirie, një pjesë të papritur, “një dëshirë që qarkullon” mes çiftit. Sërish gjendemi të burgosur, të mbytur në dhimbje”,- shpjegon Sophie Cadalen.Pa folur për rastin kur bashkëshorti shtyhet derisa e hedh në krahët e dikujt tjetër, duke i thënë vetes “kisha të drejtë”.... Në këtë mënyrë, psikanalisti mund të ndihmojë xhelozin që ti vendosë fjalët dhe ngjarjet në një moment të kaluar, për të identifikuar “atë re të errët”, ajo pasiguri e fillimit, “mungesa e tjetrit” nuk na lejon që të jemi të lirë. Mes gjithë “viktimave” të mundshme, një vogëlushe “që nuk ka mundësi të shfaqë feminilitetin” nga frika e së jëmës, një tjetër që vuan mungesën e një babai, që nuk mundi ta kishte pranë, ...

“Një nga pacientet e mia gërmonte nëpër xhepat e burrit të saj derisa iu kthye në sëmundje. Në të vërtetë ajo kërkonte që të hynte në një univers mashkullor që ajo nuk e njihte dhe mbi të cilin ajo vetëm fantazonte”,- shpjegon Marcianne Blévis. Për një gjë duhet të sigurohemi: ka dhe më keq se sa të jesh xheloz: të mos e provosh asnjëherë xhelozinë. “Një nga pacientët e mi, bënte lavde se në moshën 45-vjeçare nuk e kishte ndjenjën e posesivitetit. Ai praktikonte shkëmbimin, duke i detyruar femrat e jetës së tij që të hidheshin në krah të burrave të tjerë. Në fakt gjatë jetës së tij ai nuk kishte pasur një vlerësim të mirë për veten, duke i mbushur mendjen vetes se nuk ishte asgjë. Kur ky njeri e gjeti veten, ai zbuloi edhe një formë normale të xhelozisë. Kështu ai rinisi të jetonte ....”, përfundon Marcianne Blévis.